“Fair-Play Financiar” është diskutuar shpesh për rregullat e tij dhe për ndryshimet që ka sjellë në botën e futbollit. Dy nga klubet, të cilat i kemi dëgjuar më shpesh të përmendin rregullat e “fair-playt” janë padyshim Interi dhe Milani. Dy klubet e Milanos, të cilat vijojnë të jenë në ujëra të turbullta prej vitesh, sidomos kuqezinjtë, po provojnë të ringrihen, por një pengesë për të blerë lojtarë ka qenë dhe rregulli i vendosur nga UEFA.
Në lidhje me këtë çështje, ka folur, zëvendës sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, i cili duket se ka drejtuar dhe një mesazh të fortë karshi organit qeverisës të futbollit evropian. Pikërisht, Zvonimir Boban, i cili në të shkuarën ka luajtur dhe për shumë vite me fanellën e Milanit, ka folur për rregullat e “fair-playt” duke u shprehur hapur, kundër këtyre rregullave, që për kroatin janë absurde.
“Në qoftë se nuk ka rishikim në rregullat e Fair Playt Financiar, atëherë Interi dhe Milani do ta kenë të vështirë të rikthehen në majat e futbollit. Kjo është e vërteta, si për ata, si për të gjithë klubet që kanë ambicie dhe duan të shkojnë sa më lart.
Rregullat për të pasur një buxhet sa më të balancuar, nuk mund të pengojnë sipërmarrësit që të bëjnë investime të reja në futboll. Klube si Interi dhe Milani në rast se ringrihen sjellin vetëm efekte pozitive, por në rast se rregullat do të vazhdojnë të njëjta do të pengojnë jo vetëm dy klubet e Milanos, por çdo klub për t’u ringritur”.