Blindohet Ibrahimi, Partizani “i fiksuar” me një shkodran

Partizani ditën e djeshme ka zyrtarizuar disa lëvizje në merkato dhe e fundit ka qenë marrëveshja për rinovimin e kontratës me mbrojtësin Labinot Ibrahimi. Futbollisti i krahut të djathtë ka nënshkruar edhe për një sezon tjetër dhe gjithçka është zyrtare.

“Klubi zyrtarizon zgjatjen e bashkëpunimit me Labinot Ibrahimin. Mbrojtësi dhe drejtuesit kanë nënshkruar kontratën e re e cila do të jetë e vlefshme edhe për sezonin e ri. Rinovimi i kontratës erdhi me dëshirën e të dyja palëve, ndërkohë që prej vitit 2013 Ibrahimi është pjesë e familjes së kuqe, me të cilën fitoi edhe titullin e 16 kampion të Shqipërisë”, njofton klubi i Partizanit.

Merkato në hyrje nuk ka përfunduar dhe dëshira tjetër është Erdenis Gurishta. Shkodrani është nën kontratë me Vllazninë dhe prej kohësh e di interesimin e të kuqve për shërbimet e tij. Mbrojtësi, i cili luan në të dy krahët e prapavijës dhe në qendër, ka kërkuar të dalë i lirë.

Gjithsesi deri më tani administratori Suad Lici nuk ia ka dhënë lejekalimin. Te Vllaznia atë e shohin si një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe drejtuesit aktualë normalisht që nuk mund ta lëshojnë. Nëse drejtuesit e rinj të Bashkisë Shkodër do bëjnë lëvizje, atëherë mund edhe të ketë lajme të reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *