Islanda dhe Moldavia janë dy rivalët e radhës për Shqipërinë, që momentalisht është zhvendosur në Gjermani dhe po mendon fillimisht për përballjen e 8 qershorit. Kualifikimi në EURO 2020 nuk është një mision i lehtë, por nëse merren rezultate të mira në këto dy takime, atëherë gjërat bëhen interesante.
Etrit Berisha, portieri i kombëtares shqiptare, thekson se kuqezinjve u duhet një shkëndijë. “Duhet të fokusohemi në përgatitjen e ndeshjeve dhe të mundohemi të marrim një rezultat pozitiv me Islandën. Ndoshta na duhet një shkëndijë e vogël, që të ëndërrojmë më shumë për një kualifikim të mundshëm në Europian. Nuk duhet të jemi euforikë, por as të kemi presion. Thjesht duhet të punojmë mirë për të përgatitur ndeshjen e radhës”, ka deklaruar futbollisti i Atalantës për Supersport.
TRAJNERI REJA – “Eksperienca e tij është jashtëzakonisht e madhe dhe kjo na duhet shumë. Kjo pasi kemi shumë lojtarë të rinj në grup, që kanë nevojë për përvojë. Reja e ka këtë përvojë dhe mundohet ta përcjellë te grupi, duke kërkuar të jemi kompaktë dhe të mos pësojmë”.
ISLANDA – Shqipëria është përballur edhe në vitin 2013 me Islandën dhe Berisha e kujton atë përballje: “E kemi filluar mirë ndeshjen dhe kaluam edhe në avantazh, por bëmë shumë gabime më pas. Duhet të jemi shumë kompaktë dhe të sigurt në lojën tonë. Fizikisht Islanda është shumë lart, por duhet të reagojmë mirë ndaj tyre për të tentuar një rezultat të mirë”.
ATALANTA – “Më i gëzuar jam për arritjet e ekipit, pasi kemi qenë të gjithë pjesë e suksesit. Në muajt e fundit ka ndodhur edhe ndryshimi, ndaj tani duhet t’i shikoj me shumë kujdes gjërat dhe pas disa javëve duhet të marr një vendim për të ardhmen. Ende tani është shumë herët dhe jam i përqendruar te Kombëtarja, pasi ka kohë për merkaton”.