Egzon Belica beson se ky barazim ishte rezultati më i drejtë. Për “Supersport” në “Gol pas Goli”, mbrojtësi i Partizanit u shpreh se mungesa e tifozëve ishte një faktor që ndikoi në paraqitjen e skuadrës.
BARAZIMI – “Është rezultat i drejtë, edhe pse kishim shanset tona me Bardhin dhe me Hebajn. Barazimi është i drejtë.”
NDESHJA – “Pjesa e parë ishte më e dobët se pjesa e dytë. Kundërshtari na vuri pak në vështirësi dhe e mbante pak më shumë se ne topin. Ishte e vështirë për ta luajtur topin dhe them se barazimi është rezultati më i drejtë.”
SKUADRA – “Klubi ka besim tek të gjithë lojtarët. Po stërvitemi mirë dhe po luajmë mirë. Është kampionat shumë i vështirë, por do të bëjmë më të mirën tonë.”
RENDITJA – “Për mendimin tim tabela e renditjes tregon gjithçka. Me Skënderbeun dhe Kukësin do të jetë një luftë e fortë, por unë nuk do të lija pas dhe Flamurtarin.”
TEUTA DHE KUKËSI – “Kemi luajtur dy ndeshje të ndryshme. Në Durrës ishte me shumë tifozë dhe karikimi ishte i madh, edhe pse terreni ishte i vështirë. Sot kishte vështirësi të tjera. Mungesa e tifozëve tanë na penalizon.”