Batuta për Telushin, raporti me Mensah dhe e ardhmja: flet heroi Bardhi

0

Jurgen Bardhi shënoi edhe ndaj Laçit dhe për të ishte goli i tretë në kampionat për këtë sezon. Sigurisht që për këtë ai ndihet mirë dhe pas ndeshjes me kurbinasit fillimisht ai ka deklaruar: “Jam shumë i lumtur sepse po e ndihmoj shumë ekipin, si me asiste, ashtu edhe me gola. Ky zhbllokimi, me Kastriotin shënova dy gola dhe tani një me Laçin, po më ndihmon mua dhe ekipin”.

I ngacmuar nëse synon “Këpucën e Artë”, sulmuesi i të kuqve u shpreh: “Të shënosh dy ndeshje do të thotë se je në rrugën e duhur. Duhet shumë punë dhe shumë fat”. Më tej Bardhi foli edhe për pozicionin e tij në qendër të sulmit.

“Ndihem mirë, pasi jam gjithmonë në kontakt me topin dhe duhet të shënoj gola. Deri tani po e bëj mirë dhe ndihem shumë mirë. Jam gjithmonë në lëvizje. Futja e Mensah ta largon disi nga porta? Trajneri na thotë të alternohemi, ai e bën mirë rolin e sulmuesit të parë. Alternohemi dhe kuptohemi shumë mirë”, shtoi 21-vjeçari i skuadrës kryeqytetase.

Bardhi ditë më parë lëshoi një batutë, duke u shprehur se për momentin ia kishin lënë golat Telushit. Tani e ka marrë vetë stafetën, teksa thotë: “Ma ka lënë mua njëfarë kohe tani , pastaj do ia lëmë atij”.

Në fund Bardhi foli edhe për presionin dhe mundësinë e një lëvizjeje në janar: “Nuk kemi presion, po i marrim ndeshjet një e nga një. Po ndihemi mirë. Merkato e janarit? Nuk e di, jam i fokusuar te Partizani për momentin. Po erdhi diçka, të shohim”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.