Futbollisti i Flamurtarit, Idriz Batha, ishte i ftuar në emisionin “Sport News Plus” në “News 24”, ku diskutoi në lidhje mbi tema të ndryshme rreth Kategorisë Superiore. Titulli i Partizanit, situata në të cilin ndodhet klubi i Tiranës dhe fitorja e goli ndaj Laçit ishin disa nga temat që preku futbollisti gjirokastrit.
TITULLI I PARTIZANIT DHE LARGIMI – “Nuk është se kam ndonjë pendesë. Futbolli është i tillë. Sikur do të më kishte pëlqyer të dilja kampion kur isha pjesë e Partizanit, por nuk kam pishman asnjë gjë. Partizani e meritoi dhe unë i uroj të gjithë atyre që janë pjesë e klubit të Partizanit, sidomos tifozëve, pasi ata e kanë merituar më shumë, ata kanë vuajtur më shumë me Partizanin në këto vite. Ishte një punë e gjatë, që nuk do vononte edhe kaq shkoi shumë. Partizani i kishte ngritur themelet dhe titullin e meritoi”.
TIRANA – “Unë mendoj që duhet të luhej me tifozë. Akoma më bukur kur ndeshje është me presion, nëse nuk ka presion ndeshje brenda është e kotë që e luan. Diferencat janë shumë të vogla, të gjitha ekipet janë aty aty. Përderisa Tirana është në atë pozicion, tregon se diçka nuk ka funksionuar dhe e meriton atë vend. Unë mendoj se grupin e kanë. Aty brenda ka shumë lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Thjesht mendoj se aty duhet të çohet dikush, dy ose tre lojtarë ata që e ndjejnë më shumë, që ta shkundin ekipin, pasi është një gjendje që nuk e meriton një ekip si Tirana. Pa ja ulur vlerat Kastriotit që ka treguar se është një nga ekipet më të mira të momentit, Tirana mbetet Tirana dhe duhet ta fitonte këtë ndeshje me çdo mënyrë”.
FITORJA NDAJ LAÇIT DHE GOLI – “Nuk më bie shumë rasti që të kërcej në zonë e të bëj golat në kokë, por dyluftimet ajrore në mesfushë i kam një ndër pikat e mia të forta. Ç’është e vërteta prisja një ndeshje shumë të vështirë me Laçin, me atë që pamë në fushën e lojës, nuk ishte një ndeshje e vështirësisë shumë të lartë. Laçi mbetet një ekip shumë i vështirë për t’u mundur, kanë një trajner si Starova që është shumë i vështirë për t’u thyer”, përfundoi Batha.