Dëmtimi i Lionel Mesit javën e shkuar u duk se do ishte problem gjigant për Barcelonën, por ndoshta problemet do të shihen në El Clasico, sepse kundër Interit skuadra blaugrana fitoi 2-0 me meritë të plotë, duke dominuar.
Epërsi absolute, territoriale dhe në zotërim topi, me Barcelonën që gjeti golin në minutën e 34-t me “ish”-in Rafinja, pikërisht ai që Interi nuk mendoi se ia vlente të shpenzonte shumë. Pikërisht Rafinja zëvendësoi Mesin dhe shënoi golin e parë të sfidës dhe Zhordi Alba mbylli gjithçka pak minuta para përfundimit, me Interin që pak nga pak e kuptoi se Barcelona është tjetër nivel, të paktën në Camp Nou, sepse javën e ardhshme në San Siro gjërat mund të ndryshojnë.
Ndërkaq, spektaklin më të madh të mbrëmjes Champions e dhuroi Borusia e Dortmundit, një skuadër e çmendur, që ka gjetur një ritëm spektakolar dhe shpartalloi Atletikon e Madridit 4-0, duke treguar se starti fenomenal në Bundesligë nuk është rastësi.
Uitsel është një blerje e mrekullueshme dhe belgu shënoi golin e parë në minutën e 38-të, ndërsa Guerreiro 2 herë e Sanço në fund mbytën Atletikon, që rrallë në epokën Simeone është parë kaq keq. Bajerni duhet të ketë kujdes, ky Dortmund e ka seriozisht këtë sezon.
Barcelona – Inter 2 – 0
Shënues: Rafinja 32’, Alba 83’
Dortmund – Atletiko M. 4 – 0
Shënues: Vitsel 38’, Guerreiro 73’ 89’, Sanço 84’