Dështimet në sezonet e fundit në Champions Ligë e kanë lodhur Barcelonën. Trofeu prestigjioz mungon në Katalunjë prej vitit 2015, aty ku Mesi me shokë mposhtën Juventusin 3-1 në finalen e Berlinit.
Rikthimi te triumfi në Europë është objektivi i madh për sezonin e ardhshëm dhe drejtuesit nuk po kursehen për përforcimin e skuadrës. Emri i fundit që ka dalë në skenë është i bujshëm.
Portugezi Semedo është drejt largimit dhe Barcelona ka piketuar pasardhësin e mbrojtësit të djathtë. Sipas raportimeve të katalanases “Sport”, kampionët e Spanjës pëlqejnë shumë Xhoshua Kimish.
24-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2023 me Bajernin e Mynihut, që vështirë të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj. Megjithatë, Barcelona po monitoron situatën dhe po përgatit një ofertë tunduese për klubin bavarez dhe vetë lojtarin.