Ndoshta nuk është Iniesta, por rruga për t’u ndjekur është ajo e duhura. Artur Henrike Ramos de Oliveira Melo, i njohur shkurt si Artur. Djaloshi ka fituar zemrat dhe i ka mahnitur të gjithë. Paraqitja në Champions League ndaj Interit, konfirmoi se mesfushori brazilian i Barcelonës është gati për skenën e madhe të futbollit.
22-vjeçari është mjaft i përgatitur në planin teknik dhe ka vizion të shkëlqyer loje, si edhe një elegancë të jashtëzakonshme me topin. Me një stil futbolli unik, pasimet e gabuara apo topat e humbur prej tij, janë vërtetë të paktë. Një lojtar i cili i’u sugjerua katalanëve nga Renato Portalupi, i njohur si Renato Gauço, që pavarësisht eksperiencës jo të mirë te Roma, është një legjendë në Brazil.
Renato e ka stërvitur për dy vjet te Gremio, aty ku i ka mësuar kulturën e lojës me pasime, e cila është shumë e ngjashme me “tiki takan” e përdorur nga “blaugranat”. Artur gëzon teknik mbi normalen dhe ka mjaft personalitet në fushë: gjithmonë i sigurt për stilin e lojës që praktikon, edhe sepse ka mjaft besim te talenti që zotëron. Një lojtar, i cili nuk ka as frikë nga numri që mban në shpinë.
Është fanella me 8-n, ajo që gjatë viteve të fundit te Barcelona i përkiste një emri si Andres Iniesta, i pagëzuar si një prej mesfushorëve më të mirë të historisë së futbollit. Rreth krahasimeve me “Don Andres”, në kanatalin zyrtar të Gremios, Artur ka thënë: “E kam lexuar autobiografinë që ka shkruar, edhe ai është një tip i rezervuar, si unë”.
Në Barcelonë thonë se Leo Mesi e ka shumë përzemër, një detaj që nuk mund të anashkalohet në hirearkitë e klubit katalan. Kjo duket edhe arsyeja përse në “Kamp Nou”, preferojnë të mbajnë në stol një luftëtar si Arturo Vidal, për ti lënë hapësirë talentit të së ardhmes.