Dita e të mëdhenjve: asnjë surprizë në startin e fazës së grupeve në Champions, por natyrisht nuk mund të bëjë përshtypje fitorja e madhe e Barcelonës, 3-0, ndaj Juventusit.Në teori Barcelona do të vuante, jo vetëm se përballë kishte ekipin që e eliminoi bindshëm sezonin e fundit, por edhe sepse të gjithë janë të bindur se pa Nejmarin Barça është dobësuar ndjeshëm. Ndoshta është e vërtetë, por sot nuk u vu re: Mesi në minutat 45 e 69 “dhunoi” portën e Bufonit, Rakitiç mes dy golave të “Pleshtit” dhe në tërësi Barça dominoi ndaj një Juventusi që sheh makthe.
Të tjerët? Pak për të folur: Çelsi masakroi 6-0 Karabakun ku mungonte Ansi Agolli për dëmtim, ndërsa italiani Zapakosta realizoi pa dashje një ndër golat e sezonit.Në sulm luajti Batshuaji, i cili shënoi dy gola, ndërsa Pedro shtoi një tjetër, ndaj Çelsi në sulm nuk duket edhe aq keq.
PSG nuk ka frena: 5-0 në Skoci ndaj Seltikut,Nejmar, Mbape dhe Kavani 2 gola, një spektakël i frikshëm i treshes sulmuesve që shënoi edhe fundjavën e shkuar. Megjithatë, sfidat e mëdha vijnë më vonë.
Pa sforcim fitoi edhe Bajerni, 3-0 ndaj Anderlehtit, në një sfidë që mbaroi pa nisur mirë, sepse në minutën e 11-të Anderlehti mbeti me 10 lojtarë dhe Levandovski shënoi nga pika e bardhë. Tiago e Kimish në pjesën e dytë rrumbullakosën fitoren e thjeshtë. Triumf identik edhe Mançester Junajtid, 3-0 ndaj Bazelit të Taulant Xhakës, me gola nga Felaini, Lukaku e Rashford.
Besnik Hasi dhe Olimpiakosi e nisën me humbje, 2-3 në Pire ndaj Sportingut, që triumfoi bindshëm, edhe pse dy gola nga Pardo në fund rihapën takimin.Surpriza e vetme e mbrëmjes ishte fitorja me përmbysje e CSKA Moskës, 2-1, në Lisbonë, ndaj Benfikës.
Barazim pa gola në Romë, ku Roma ndali Atletiko Madridin, ose më saktë portieri Alison me disa pritje fantastike ndali madrilenët, që në fakt patën edhe pak fat, sepse mund të ndëshkoheshin me një penallti kundër, për një prekje me dorë në zonë.