Barcelona dhe Juventus kërkojnë Pol Pogba dhe vetë lojtari francez dëshiron largimin nga Mançester Junajtid. Marrëdhëniet mes trajnerin Murinjo nuk janë aspak pozitive dhe ekipi nuk është konkurrues për fitimin e trofeve.
Mançester Junajtid nuk është kundër shitjes së tij, paraqitjet e mesfushorit nuk janë aspak pozitive, por kjo gjë vështirë të ndodhë. Nuk ka asnjë problem sportiv, por ekonomik. Shitja e tij do të mbushte arkat e klubit, por krahas kësaj do të krijonte një vrimë në financat e anglezëve. Siç citon “Daily Mail”, sponsorët e klubit anglez e shohin 25-vjeçarin si njeriun simbol të Junajtid dhe janë kundër largimit të tij.
Pogba sapo ka fituar kupën e botës me Francën dhe imazhi i tij është i rëndësishëm për sponsorët e ndryshëm. Ai është një nga futbollistët më të famshëm në botë dhe renditet në dhjetë futbollistët me më shumë ndjekës në rrjetet sociale. Një gjë e rëndësishme në aspektin e imazhit dhe marketingut, çka shton fitimet e Junajtid.
Shitja e tij vështirë të ndodhë, të paktën deri në afrimin e një lojtari tjetër të madh në “Old Trafford”. Junajtid tentoi të ofronte në ekip njërin mes Kristiano Ronaldos dhe Garet Bejl, por pa ia dalë dot. Duhet siguruar një emër i madh brenda dhe jashtë fushave, përndryshe Pogba do të vazhdojë të mbajë veshur bluzën e “Djajve të Kuq”.