Mario Baloteli i ka dhënë fund qëndrimit në qytetin e Nicës. Mediet franceze raportojnë se lojtari ka boshatisur shtëpinë e tij dhe ka dërguar çdo gjë drejt qytetit të Marsejës. Sipas gazetës lokale “Nice-Matin”, kalimi i italianit te klubi i Olimpikut të Marsejës është i pashmangshëm.
Ditën e nesërme pritet që agjenti i lojtarit, Mino Raiola, të vijë në Francë për të rregulluar çdo detaj të “divorcit” të lojtarit të tij. Baloteli do të prishë kontratën me Nicën dhe për këtë do të paguajë nga xhepi i tij.
Baloteli ishte shumë pranë kalimit te skuadra e Marsejës gjatë verës, por presidenti i Nicës vuri veton dhe kjo bërë që mes tij dhe lojtarit të krijohej një situatë shumë e çuditshme, pasi Baloteli pretendonte se kreu i klubit i kishte premtuar se do ta linte të ikte si lojtarë i lirë, nëse vinte një ofertë e mirë për të. Në këtë sezon, 28-vjeçari ka qenë mjaft zhgënjyes, pasi në 10 ndeshje gjeti vetëm një herë rrugën e rrjetës.