Bakajoko: Gaboheni, Milani klub i madh! Jam i dashuruar pas Piatek

0

Timue Bakajoko ka lënë pas krahëve vështirësitë e hasura në fillim të sezonit dhe është kthyer në pikën kyçe të mesfushës së Milanit. Francezi është në pronësi të Çelsit dhe te Milani duan ta blejnë kartonin e tij në fund të sezonit. Të njëjtën dëshirë ka edhe 24-vjeçari.

Në një prononcim për “RMC Sport France”, mesfushori flet për ditët e vështira të fillimit të sezonit dhe madhështinë e klubit kuqezi. Të ardhmen nuk e ka në dorë, por Bakajoko shpreson që të vazhdojë të jetë përsëri pjesë e “Djallit” në sezonin e ri. Rikthimi në Champions Ligë është objektivi i madh dhe në fund bën një koment për Kristof Piatek, njeriun e momentit.

MOMENTI – “Fillimi i sezonit nuk ishte aspak i thjeshtë për shkak të gjuhës, por tani gjithçka po shkon mirë në fushë dhe në jetën time private. Jam shumë i lumtur për atë që po përjetoj. Dua që të mbërrijmë në një nga katër vendet e para dhe të merrja një surprizë: grumbullimin në kombëtare.”

E ARDHMJA – “Nuk mund të jap sot një përgjigje, kështu që le të presim fundin e sezonit. Unë kam një kontratë me Çelsin, por ndihem shumë mirë në Milano dhe dua të vazhdoj të luaj me Milanin.”

MILANI – “Kush thotë që Milani nuk është më një klub i madh e ka shumë gabim. Nuk është e nevojshme të flasësh për trofetë dhe historinë e kuqezinjve, sepse të gjithë e njohin. Kur erdha këtu pashë të gjithë fotot dhe trofetë, ishte diçka impresionuese. Është i trishtueshëm fakti që ky klub nuk ka marrë pjesë në Champions në vitet e fundit. Shpresoj që këtë vit t’ia dalim ta rikthejmë Milanin në Champions Ligë.”

PIATEK – “Shpesh më pyesin se çfarë mendimi kam për të dhe po ju përgjigjem: në aspektin futbollistik jam totalisht i dashuruar me të.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.