Nesër në orën 20:45, Bajerni pret në “Allianz Arena” Hofenhajmin për të hapur siparin e sezonit të ri të Bundesligës. Në krye të bavarezëve nuk është ndonjë prej emrave të mëdhenj që e kanë shoqëruar Bajernin gjatë dekadave të fundit, por një trajneri i ri kroato-gjerman i quajtur Niko Kovaç.
Pas dy sezoneve të shkëlqyera te Frankfurti tekniku 46-vjeçar është gati të debutojë në Bundesligë si trajneri i kampionëve në fuqi. Në konferencën e tij për takimin e nesër, Kovaç diskutoi mbi gjendjen e skuadrës, “çështjen Levandovski” dhe kundërshtarin e drejtuar nga Nagelsman.
RUDI DHE BOATENG – “Rudi mund të mos jetë më pjesë e jonë. Por, nëse qëndron ai do të vlerësohet si gjithë lojtarët e tjerë dhe minutat për të nuk do mungojnë. Ndërsa për Boatengun është bërë shumë zhurmë, por nuk ka asgjë konkrete. Me të Humelsin dhe Sylen kam tri mbrojtës të një niveli shumë të lartë”.
DËMTIMET DHE ROTACIONI – “Vetëm Serzh Gnabri nuk do të jetë i gatshëm, pasi ka një shqetësim të lehtë muskulor. Nesër do të bëj rotacion, por këtu te Bajerni kam një skuadër të kompletuar dhe s’besoj se do të na hapë probleme. Do të kemi 11 yje në fushë, shtatë të tjerë në stol dhe fatkeqësisht disa yje të tjerë do të mbeten në tribunë”.
LEVANDOVSKI – “Kam përjetuar situata të ngjashme me atë që ai kaloi gjatë karrierës sime si lojtar. Levandovski u tregua shumë profesionist duke qenë gjithmonë në kontakt me drejtuesit e klubit dhe me mua personalisht. Ai mund të kishte zgjedhur që të mos vinte në stërvitje ose në miqësoret parapërgatitore, siç kanë bërë shumë lojtarë në të shkuarën, por ai nuk e bëri një gjë të tillë.”