Atletiko Madrid sapo ka zyrtarizuar rinovimi e kontratës me sulmuesin argjentinas Angel Korrea. Marrëveshja e firmosur nga 23-vjeçari do ta mbajë atë të lidhur me klubin “Rojiblancos” deri në qershorin e 2024-ës.
Korrea ishte një ndër lojtarët e preferuar të Simeones gjatë sezonit të shkuar ku u aktivizua në 37 nga 38 takime të La Ligës. Sulmuesi iu bashkua Atletikos tri sezone më parë, por fillimet e tij qenë shumë të vështira, pasi iu desh të kryente një operacion në zemër për të hequr një masë tumorale. Në këtë fillim sezoni Korrea e ka nisur si titullar, pavarësisht konkurrencës së madhe që ekziston në një klub të madh si Atletiko.
Korrea u shpreh mjaft i lumtur për rinovimin duke falënderuar klubin për këtë surprizë të veçantë. “Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e familjes së Atletikos për gjashtë vitet e ardhshme. Rinovimi më vjen si një shpërblim për punën e mirë që kam bërë gjatë këtyre viteve. Besoj se do të kalojmë suksese nga më të ndryshmet në të ardhmen”, tha argjentinasi.