Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi po mbyllin sezonin e tyre të tretë te Arsenali. Mustafi u transferua për 35 milionë nga skuadra e Valencias, ndërsa për të njëjtën shumë, Xhaka erdhi nga skuadra e Borusia M’Gladbahut. Dyshja shqiptare kanë bërë mirë në aventurën e tyre londineze, por mesa duket, nuk do të qëndrojnë te “Topçinjtë” në sezonin e ardhshëm.
Mediat britanike bëjnë të sigurt faktin se Mustafi është nxjerrë në shitje nga trajneri Unai Emeri, i cili nuk është bindur nga paraqitjet e lojtarit me nënshtetësi gjermane. Për Mustafin, ka interes të madh nga Serie A, ku ka luajtur më parë me Sampdorian, por dhe nga La Liga, ku flitet për një rikthim te Valencia.
Ndërsa Xhaka, është në planet e Unai Emeri, por mesfushori ka shprehur për mediat zvicerane se është shumë ambicioz dhe Arsenali nuk është ndalesa e tij e fundit. Për 25-vjeçarin interesimi nuk mungon, por nuk ka ende një skuadër konkrete që është gati të paguajë shumën që Arsenali synon, që është afro 50 milionë euro.