Arsenal zyrtarizon Suarezin: Iniesta idhulli im, i vogël ndiqja Bergkamp dhe Henri

Arsenali ka arritur akordin me Barcelonën për shërbimet e Denis Suarez. 25-vjeçari ishte kërkesa kryesore e Unai Emeri dhe mesfushori është gati të nisë aventurën angleze.

Trajneri e njeh mirë pasi ka punuar me të në ekipin e Seviljes, ndërsa “topçinjtë” kanë zyrtarizuar marrëveshjen në postimin e bërë në faqen zyrtare të klubit.

Më në fund lajmi që të gjithë keni pritur. Mirë se vjen tek Arsenali, Denis Suarez”, shkruhet në komunikatën e Arsenalit.

Suarez është huazuar nga Barcelona deri në fund të sezonit dhe do të bëjë maksimumin për t’i dhënë një dorë Arsenalit në realizimin e objektivave. Emeri nuk e ka fshehur lumturinë e tij për arritjen e akordit dhe trajneri spanjoll ka vetëm fjalë të mira për mesfushorin në prononcimin e dhënë për kanalin zyrtar të klubit anglez.

Jemi me të vërtetë të lumtur për këtë përforcim. Denis është një lojtar të cilin e njoh mirë, pasi kam punuar me të te Sevilja. Ai do të na sjellë kualitet dhe mundësi të mira për lojën tonë sulmuese. Jam i bindur që do t’ia dalë të ndihmojë Arsenalin”, komenton i lumtur trajneri spanjoll.

Suarez tha fjalët e para si lojtar i Arsenalit, duke zbuluar idhujt e tij. “Leo Mesi është futbollisti më i mirë në botë, ndërsa unë jam rritur duke parë Iniestën. Andres ka qenë gjithmonë idhulli im, që kur isha i vogël. Unë luaj në të njëjtin pozicion dhe kam kaluar dy vite në ekip me të. Kam mësuar shumë nga ai. Ka qenë gjithmonë një kompliment i madh për mua fakti që më krahasojnë me Iniestën. Unë shikoja Premier Ligën në televizor kur isha i vogël dhe Arsenali ishte ekipi që më frymëzonte. Shihja Bergkamp dhe Henrinë, dy legjenda të klubit dhe shpresoj që të ndjek gjurmët e tyre”, përfundon Denis Suarez.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *