Andre Silva u transferua këtë verë në formulën e huazimit me të drejtë blerje nga skuadra e Milanit te Sevija. Talenti portugez nuk arriti të bëhej protagonist me fanellën kuqezi sezonin e kaluar dhe vendosi që të vijonte aventurën e tij në Spanjë.
Aktualisht, sezoni i portugezit ka qenë mjaft pozitiv, teksa ka shënuar 8 gola në kampionat dhe ka një rendiment mjaft të mirë. Paraqitjet e tij duket se e kanë bindur që tani ekipin e Sevijas që ta mendojë seriozisht blerjen e tij nga Milani, verën e vitit të ardhshëm, kohë kur përfundon dhe periudha e huazimit.
Gjithsesi, së fundmi “Mundo Deportivo” raporton se, për blerjen e Andre Silvës është futur në garë dhe Barcelona. Katalanasit me sa duket po mendojnë për përforcimin e fazës ofensive për sezonin e ardhshëm dhe portugezi shihet si objektivi kryesor.
Gjithashtu në listën e katalanasve raportohet të jetë dhe Maksimiliano Gomez, sulmuesi i Selta Vigos, i cili po bën mjaft mirë këtë sezon. Uruguajani ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar katër asist në La Liga me fanellën e kaltër të Selta Vigos.