Pasi arriti të ndalë PSG në “San Paolo”, ndeshje që përfundoi në barazim 1-1, Napoli po përgatitet për takimin e radhës në kampionat përballë Xhenoas në transfertë. Sfida luhet të shtunën në mbrëmje dhe Karlo Ançeloti ka folur në konferencën për shtyp, duke u ndalur te gjendja e ekipit dhe kundërshtari.
Trajneri i Napolit ndalet dhe tek kolegu i tij, Zhoze Murinjo, i cili u bë protagonist i një episodi me tifozët e Juventusit, pas fitores së Junajtid në Torino me rezultatin 1-2.
Ançeloti i del në mbrojtje portugezit, bën thirrje për më shumë thjeshtësi dhe kërkon që t’i jepet fund grindjeve të shumta. Trajneri pret ndonjë dhuratë nga Gatuzo dhe Milani, që do të përnballen me Juventusin, pavarësisht se pohon të kundërtën si dhe e mbyll konferencën me një një vlerësim për Kristof Piatek, sulmuesin polak të Xhenoas, i cili është një nga zbulimet pozitive të Serie A.
XHENOA – “Ne kemi bërë mirë deri më tani, por mund të bëjmë dhe më mirë. Grackat duhen kapërcyer çdo ditë dhe nesër ka një tjetër. Përballemi me një ekip, që ndodhet në vështirësi dhe kjo gjë i ka motivuar shumë. Jam i lumtur me atë që po bën skuadra, nesër pres një test pjekurie, sepse është e komplikuar të gjesh motivime të mëdha, kur kundërshtari nuk është PSG.”
FORMACIONI – “Nesër do i bëj zgjedhjet në bazë të formës fizike të lojtarëve. Kam idenë që nevojitet shumë forcë për të dominuar ndeshjen.”
MILAN-JUVENTUS – “Nuk pres dhurata dhe si një simpatizant pres të shoh një ndeshje të bukur. Ne mendojmë për veten dhe për të zhvilluar një kampionat pozitiv. Jemi përmirësuar në fillimet e ndeshjes, por duhet të jemi më të vazhdueshëm dhe të bindur, të saktë në konkretizim dhe të aftë për të lexuar momentet e rëndësishme të ndeshjes. Unë dua që të gjithë të kenë dëshirën për të luajtur, pastaj ka zgjedhje, që mund të kuptohen, ose jo. Mertens? Ai ka patur problem në shpatull, por është rikuperuar dhe stërvitur normalisht.”
MURINJO – “Reagimi i tij mund të qëndrojë, pasi është ofenduar gjatë gjithë ndeshjes. Ai bëri një gjest ironik dhe nuk ishte aq i rëndë. Problemi është kulturor dhe nuk i referohem vetëm tifozëve të Juves, sepse gjëra të tilla ndodhin dhe në Napoli e Milano, ose në stadiume të tjera. Boll me grindje, le ta jetojmë sportin në mënyrë të thjeshtë dhe të përgjegjshme.”
PIATEK – “Po bën shumë mirë dhe si të gjithë lojtarët me kualitet, mund të pretendojë të luajë në skuadra të mëdha. Për momentin, ai ndodhet në ambientin ideal, duke patur parasysh që sapo ka ardhur në Itali.”