Shorti i goglave në Nion të Zvicrës rezervoi një kundërshtar të vështirë në letër për Napolin e Karlo Ançelotit. Austriakët e Red Bull Salcburg, janë kundërshtarët e ardhshëm të napolitanëve. Diferencat në buxhetet e të dyja skuadrave është shumë e madhe, por në vitet e fundit Salcburg ka treguar se mund të surprizojë ekipe shumë më të mëdha, siç bërëi vitin e kaluar teksa eliminoi Borusian e Dortmundit dhe më pas Lacion.
Trajneri i Napolit, Karlo Ançeloti, në një prononcim për faqen zyrtare të klubit dha një koment për shortin, ku vlerësoi forcën dhe eksperiencën e kundërshtarit.
“Salcburgu është një klub i madh që ka eksperiencë në të tilla nivele. Mjafton të kujtojmë se disa muaj më parë ishin një ndër gjysmëfinalistët e këtij kompeticioni, ndërsa këtë edicion kanë arritur gjashtë fitore në po aq ndeshje. Na presin dy takime të bukura”, u shpreh trajneri i Napolit.
Takimet e vlefshme për turin e 1/16-ve të Europa League do të zhvillohen më datë 7 mars në Napoli dhe ndeshje e kthimi një javë më vonë më datë 14.