Napoli dhe Roma ndanë nga një pikë në takimin e mbrëmshëm, ndërkohë që trajneri Karlo Ançeloti pas ndeshjes është parë i kënaqur për mënyrën se si skuadra e tij luajti. Ai kujtoi se po luanin ndaj një ekipi të fortë dhe presioni ishte shumë i madh.
“Besoj se ndeshja është parë nga të gjithë dhe jam shumë i kënaqur nga paraqitja që ka bërë skuadra ime. Kemi pasur presion të vazhdueshëm, për 90 minuta. Nuk luanim kundër ekipit të vendit të fundit dhe e kishim lakun në fyt. Rastet për shënim kanë qenë të panumërta”, u shpreh Ançeloti.
“Mertens u ankua që nuk luajti nga minuta e parë? Edhe ajo na duhej, që të ishte i kënaqur për faktin që e nisi nga stoli. Kemi kaluar shumë kohë në zonën e Romës. Pastaj nuk ishim ta saktë në pasimin e fundit, por këto janë vetëm detaje. Ne krijojmë shumë mundësi dhe sulmuesit tanë janë të fortë dhe efikasë. Nëse nuk erdhi goli, së pari ndodhi për shkak të centimetrave dhe sepse Roma u mbrojt shumë mirë. Nëse luan Mertens ose Milik, nuk ndryshon mënyra jonë e lojës. Rrotacioni ishte i detyruar për shkak se kemi luajtur të mërkurën në Paris”, shtoi trajneri i Napoli, që më tej foli fjalë të mira për Fabian Ruiz.
“Ai është një lojtar i mrekullueshëm, luan mirë kur e nis nga krahët, por edhe në qendër. Ka shumë cilësi dhe është një blerje e madhe e kësaj vere”, u shpreh Ançeloti, i cili u pyet edhe për ndeshjen e radhës në Champions kundër PSG-së. “Nëse fitojmë me PSG-në, bëjmë një hap të madh që mund të jetë vendimtar për kalimin e grupit”, ka deklaruar trajneri italian.