Analiza e Telushit: Heqja e pikëve na dëmtoi, skema e Superiores është e gabuar

0

Nga gjashtë pikët e hequra tek lufta për qëndrimin në Kategorinë Superiore, deri në 90 minutat e fundit dhe e ardhmja e tij. Kapiteni i Flamurtarit Bruno Telushi rrëfehet mbi një sezon tashmë të mbyllur, një kampionat ku deri në 90 minutat e fundit u luftua për të qëndruar në kategori, padyshim problematikat e evidentuara gjatë vitit kanë ndikuar padyshim tek skuadra. “Ka qenë një sezon që dua ta ndaj në dy pjesë. Një sezon i nisur mjaft mirë, duke afruar një trajner shumë të mirë si Magani dhe një skuadër me lojtarë mjaft cilësorë. Kjo ishte padyshim një nga anët pozitive të këtij sezoni, ndërsa vendimi për të na hequr gjashtë pikët, kur sezoni nuk ishte as në gjysmën e tij, solli ndikimet negative te skuadra. Pastaj u largua trajneri dhe kishte probleme me pagat, që u zgjidhën mjaft mirë. Më pas erdhi largimi nga Kupa e Shqipërisë dhe lufta deri në fund për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Nuk duhet të harrojmë se pas Maganit erdhi Mezani dhe në fund Duro, të tre trajnerë që dua ta them me plot bindje se kanë bërë një punë shumë të mirë tek skuadra dhe duhen falënderuar e vlerësuar. Gjithsesi, heqja e pikëve kishte ndikimin kryesor në sezonin jo të mirë të Flamurtarit.

“Mendoj se i kishim të gjitha mundësitë dhe duhej që ta zgjidhnim më përpara situatën e qëndrimit, konkretisht në dy ndeshjet në shtëpi me Partizanin dhe Laçin, ku morëm vetëm dy pikë. Megjithatë, fatmirësisht arritëm të sigurojmë objektivin minimal për qëndrimin në Superiore, në një sezon që i ka patur të gjitha brenda tij. Dua të them se grupi i lojtarëve ka qenë mjaft cilësor dhe nëse do të kishim gjashtë pikët më shumë, mund të them se sot do të ishim në vend të katërt. Nëse ato pikë nuk do të ishin hequr, të jeni të bindur se nuk do të kishim shkuar në këtë situatë. Ky ka qenë një kampionat me të vërtetë i veçantë, me skuadra që ishin brenda objektivave deri në javën e fundit të kampionatit, si rrallëherë në këto vitet e fundit. Shikoni rënien e Tiranës, një emër i madh që largohet. Edhe unë dua t’u bashkohem zërave për një strukturë të kampionatit me 14 skuadra. Nuk është vetëm Tirana, por shikoni: jashtë Superiores janë disa skuadra, si Bylis, Besëlidhja, Dinamo apo Apolonia, skuadra që shumë mirë mund të ishin në elitë. Ka edhe më keq, është Elbasani në Kategorinë e Dytë. Për këtë u bashkohem zërave dhe bëj thirrje për një kampionat me 14 skuadra”, shprehet Telushi, që në fund flet edhe për të ardhmen, teksa vihet re që mesfushori vlonjat ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë.

“Do të qëndroj pushim disa ditë, pasi kemi nevojë të gjithë, ndërsa për të ardhmen nuk di se çfarë të them. Akoma nuk kam vendosur asgjë dhe nuk përjashtoj asnjë mundësi”, përfundon Telushi prononcimin e tij.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.