Venger rinovon dhe premton titullin

0

Arsen Venger ka firmosur një kontratë të re dy-vjeçare me Arsenalin dhe në këtë mënyrë u ka dhënë fund spekulimeve në lidhje me të ardhmen e tij te klubi i Premier Ligës angleze. Arsenali zyrtarizoi sot rinovimin, pas takimit që trajneri francez zhvilloi me aksionarin maxhoritar Stan Kroenke të hënën, një ditë para takimit me bordin drejtues të Arsenalit.

Kontrata e Vengerit skadonte në qershor dhe Venger i kishte evituar diskutimet në lidhje me të ardhmen e tij, por tashmë është konfirmuar se ai do të qëndrojë,duke qenë se tek Arsenali besojnë se ai është personi i duhur për të fituar titullin e parë që prej vitit 2004/

“Ambicia jonë është të fitojmë Premier Ligën dhe trofe të tjerë të mëdhenj në Europë – deklaroi Kroenke për faqen zyrtare të klubit. – Kjo është ajo që presin tifozët, lojtarët, trajneri, stafi dhe bordi drejtues, ndaj nuk do të pushojmë derisa t’ia dalim mbanë. Arsen është personi më i mirë për të na ndihmuar në realizimin e synimeve tona, ai ka një bilanc fantastik dhe ka mbështetjen tonë të plotë”.

Venger ka drejtuar 709 ndeshje në Premier Ligë, duke qenë i dyti në histori, me Sër Aleks Fergusonin që ka drejtuar në 810 ndeshje, ndaj nëse Venger e mbyll sezonin e ardhshëm tek Arsenali, do të vendosë rekordin e ri.

Pas rinovimit, Venger tha: “E dashuroj këtë klub dhe po shoh me entuziazëm nga e ardhmja. Po shohim si mund të përforcohemi dhe mendojmë se me pak afrime cilësore ky grup mund të bëhet edhe më i suksesshëm, duke synuar titullin kampion. I jam mirënjohës bordit drejtues dhe do të bëj të pamundurën që të fitoj trofe madhorë”.

Tifozët kanë qenë të përçarë në lidhje me Vengerin, pasi të shumtë janë ata që kërkojnë largimin e tij, pas 21 vitesh në drejtim dhe shumë trofesh të fituar kryesisht në 10-vjeçarin e parë të drejtimit.

Javën e shkuar Arsenali fitoi Kupën FA, por për herë të parë pas 20 vitesh nuk do të marrë pjesë në Champions League.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.