Alla, çështja “Shkodra” dhe një batutë: Cungu i thotë të gjitha

Armando Cungu, trajneri i Kukësit, ka dalë sot para mediave për të folur për ndeshjen me Flamurtarin. Sigurisht në fokus ishte edhe takimi që barazuan me Laçin javën e parë, situata në ekip dhe objektivi ndaj vlonjatëve.

Shkodrani më pas komentoi edhe largimin e Allës, mohoi të ketë probleme me Donjet Shkodrën, por nga ana tjetër lëshoi një mesazh për presidentin Safet Gjici, pasi kërkon që në ekip të afrohet edhe një lojtar tjetër që të bëjë diferencën.

Takimi i radhës kundër Flamurtarit. Sa e rëndësishme është kjo sfidë?
Çdo ndeshje është e rëndësishme, jo vetëm për ne, por për të gjitha ekipet. Duke futur edhe objektivin që ka Kukësi, ne synojmë tre pikët në çdo ndeshje, sikurse edhe nesër. Ky është objektivi ynë

Sa ka ndikuar barazimi me Laçin? A e ka prekur harmoninë në ekip?
Nuk besoj se ka prekur një ndeshje harmoninë. Ajo nuk duhet prekur kurrë dhe duke qenë një klub profesionist nuk ka arsye të mendohet diçka e tillë. Natyrshëm që dëshira ishte e madhe për ta fituar ndeshjen me Laçin, sikurse dëshira është për të fituar çdo ndeshje. Futbolli i ka të tria rezultatet brenda, normalisht kur nuk menaxhon lojën siç duhet merr edhe ato rezultate që nuk i pret. Kjo na ndodhi me Laçin, edhe pse ishim superiorë. Është ndeshje e lënë prapa. Të shohim përpara tani.

Çfarë ka ndryshuar te Kukësi pas ndeshjes së parë?
Kanë ndryshuar disa individë përsa i përket formacionit. Pres dhe shpresoj edhe në aspektin fizik, pasi isha i vetëdijshëm që ndaj Laçit nuk kishte freskinë e duhur. Kjo pasi nuk ishin bërë tre ditë t plota prej ndeshjes me Torpedon. Ekipi shpenzoi energji dhe kjo ka qenë një nga arsyet se pse ekipi nuk kishte ritmin e duhur në lojë. Nesër shpresojmë të shohim një Kukës me ritëm tjetër.

Keni parë ndonjë defekt kundër Laçit? Jeni munduar t’i rregulloni ato?
Çdo ndeshje ka anët e mira dhe të këqija. Mund të fitosh me goleadë dhe të gjesh gjëra që nuk shkojnë. I ndodh çdo ekipi në botë.  Nuk bëmë mirë në aspektin e finalizimit, mund të shënonim golin e dytë dhe të tretë, por edhe në pësimin e golit gabuam. Ishte një gabim i joni, një dhuratë për kundërshtarin. Kemi punuar gjithë javën dhe shpresoj që nga nesër gabime të tilla të minimizohen. Nuk mund të them të shuhen, pasi është e pamundur.

A është i gjithë grupi?
Kam pak problematika me 1-2 lojtarë. Pres deri nesër rikuperimin e tyre. Kemi lojtarë në dispozicion që duhet të tregojnë vlerat e tyre dhe se e meritojnë që janë pjesë e rëndësishme e ekipit.

Sa e njihni Flamurtarin?
Nuk mund të them jo unë, por asnjë trajner që e njeh Flamurtarin. Kjo pasi është një ekip që ka ndryshuar pothuajse rrënjësisht. I kam parë në ndeshjen kundër Teutës dhe normalisht duke pasur parasysh organizimin dhe kontingjentin, janë një ekip jo i lehtë. Gjithsesi Kukësi ka emrin e vet, kualitetin dhe ambicien e vet, ndaj nuk kemi pse i druhemi asnjë kundërshtari.

Ka një çështje Shkodra, nuk është as në stërvitje…
Nuk besoj se ka një çështje Shkodra. Ai është pjesë e klubit të Kukësit sërish, ju e keni parë në formacion, që do të thotë se ka qenë një lojtar që e kemi menduar si një element që mund të kontribuojë për Kukësin.

Është pjesë e planeve të tuaja?
Është pjesë e Kukësit. Sa kohë stërvitet me Kukësin, patjetër që është pjesë e planeve.

Kur mund ta shohim Kukësin që Cungu do?
Realisht duhet kohë, Kukësi ka ndryshuar shumë, ka shumë ardhje. Në këto kushte duhet kohë, jo mua, por lojtarëve, të cilëve u duhet kohë për t’u ambientuar dhe për t’i vendosur të gjithë në pozicionet optimale të tyre. Dëshira është që të vijnë sa më shpejt. Kam thënë edhe më parë, shpresoj të vijë edhe një lojtar që merr përgjegjësi dhe tregon vlera në rrugën jo të shkurtër. Shpresojmë ta shohim sa më shpejt harmonizimin e këtij grupi.

Alla iku, vjen Krasniqi. Një Kukës më i dobët apo…
Duhet të kuptojmë diçka, që jo çdo herë ndodhin gjërat brenda dëshirave të klubit apo të sportistëve. Alla është larguar me dëshirën e vet. Dëshira e klubit dhe e imja personalisht ishte të rrinte, unë kam këmbëngulur për këtë. Është një lojtar që vlerat ia njihja, sikurse edhe drejtuesit. Kam qenë pjesë e bisedimeve, presidenti e ka thirrur Allën për të pasur një bashkëpunim tjetër. Ai ka preferuar të bëjë zgjedhje tjetër, që jemi të detyruar ta respektojmë.

Kukësi nuk humbet në Vlorë që nga tetori i vitit 2013…
Nuk u besoj këtyre gjërave. Traditës i besoj, por kësaj ne në Shkodër i themi “me qit fall me groshë”. Futbolli është futboll, ndryshojnë kohët, ndryshojnë momentet, ndryshojnë ekipet, ndryshojnë trajnerët. Kjo nuk do të thotë asgjë. Nëse ecim me traditë, Tirana duhet të dilte kampion vjet, Vllaznia të mos binte nga Kategoria. Kështu duhet të fokusohesh me çdo ekip, pasi edhe fëmijët të nxjerrin probleme nëse nuk përqendrohesh, e jo më Flamurtari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online