E ardhmja e Masimiljano Alegrit te Juventusit është në dyshim, për të mos thënë se në verë italiani do të largohet. E ka thënë vetë babai i tij, Xhovani Galeone: “Maks në fund të sezonit do të largohet nga Juventusi, sido që të shkojë në Champions League”.
Janë disa pistat për të ardhmen e tij, teksa në Angli emri i tij është lakuar shpesh. Gjithashtu edhe Reali i Madridit është një opsion, kurse PSG ëndërron veç Alegrit edhe Paratiçin. Të gjithë janë zëra merkatoje.
Fillimisht pritet të mësohet se çfarëdo të ndodhë mes tij dhe Juventusit. Mes palëve do të ketë një marrëveshje xhentëlmenësh. Alegrit, sikurse dihet, kontrata i përfundon në verën e vitit 2020. Sukseset në Itali nuk mjaftojnë te Juventusi, por edhe për trajnerin italian nuk është ndonjë kënaqësi e madhe që të dominojë vetëm në Serie A.
Nga ana tjetër pas dere qëndron një tjetër trajner, i cili në Champions ka arritur të bëjë mrekulli me Realin e Madridit si trajner. Zinedin Zidan është rikthyer si opsion. Francezi pret zhvillimet te Juventusi dhe është i gatshëm të bashkohet me Kristiano Ronaldon. Jo vetëm me të, pasi edhe braziliani Marselo ka bërë gati valixhet për të lënë Madridin për Torinon. Zhvillime interesante në horizont.