Mesfushori brazilian ,Alan, është një ndër lojtarët më të dalluar te skuadra e Napolit. Futbollisti 27-vjeçar prej disa sezonesh mban statusin e një titullari të padiskutueshëm, por paraqitjet e shkëlqyera në Serie A, nuk i kanë vlejtur aspak për sa i përket kombëtares braziliane.
“Seleçao” vazhdon të mbetet një ëndërr për të. Në një intervistë të gjatë për “Radio Kiss Kiss”, braziliani foli për herë të parë mbi këtë çështje. “Tite është një trajner që i jep mundësi çdo lojtari pavarësisht se ku luan. Ai ka përzgjedhur futbollistë nga kampionati kinez dhe nga ai brazilian, kështu që i them të hedhë sytë edhe këtej nga Itali”, tha 27-vjeçari.
Një opsion për Alan është ajo çka bëri bashkëkombësi i tij Zhorzhinjo, i cili tani është pjesë e përfaqësueses “axurre”. Mesfushori punon prej gjashtë vitesh në Itali dhe ka përmbushur kushtet për natyralizim, pajisja me pasaportën italiane për të është vetëm çështje ditës, por siç duket Alan beson se atij do t’i vijë shansi për të përfaqësuar Brazilin.