Emiliano Sala ishte “braktisur” nga Kardif Siti dhe iu desh ta organizonte vetë udhëtimin nga Nanta për në Uells, pas ndarjes me shokët e skuadrës, thotë ish-agjenti i futbollistëve Uilli MekKej.
I biri i Uillit, Mark, ishte agjenti që punonte për llogari të Nantës në transferimin e sulmuesit argjentinas për 17 milionë euro në Premier Ligë.
Uilli MekKej organizoi fluturimin që i mori jetën sulmuesit 28-vjeçar, me avionin e drejtuar nga David Ibbotson që u rrëzua në Kanalin Anglez, pranë brigjeve të Britanisë së Madhe.
Kardifi ka mohuar prerë pretendimet se ka neglizhuar dhe nuk e ka ndihmuar Salën që të organizonte udhëtimin për në Uells: “Ne ishim në provesin e organizimit të një udhëtimi me avion për zotin Sala, derisa kjo ofertë u refuzua, pasi na u tha që futbollisti kishte planifikuar më parë udhëtimin, për të cilin Kardifi nuk kishte detaje. Jemi shumë të shqetësuar nga shkeljet që janë bërë në këtë udhëtim dhe duam përgjgje për detajet e kësaj tragjedie”.
“Ai ishte braktisur në një hotel, pak a shumë iu desh të organizonte vetë gjithçka”, tha Uelli MekKej në një intervistë për BBC.
“Askush në Kardif nuk dukej se e dinte çfarë duhej të bënte, ishte e sikletshme për një klub të Premier Ligës. Ata blejnë një futbollist për 17 milionë euro dhe e lënë vetëm, para një kompjuteri, për të gjetur linjë ajrore për të udhëtuar drejt Uellsit. Mendoj se Kardifi ka dështuar. Nga mënyra si kanë vepruar, ata janë një fatkeqësi. Është e turpshme të hidhet baltë edhe mbi pilotin, sepse ishte profesionist dhe i zoti, nuk mund të fajësohet ai për tragjedinë”.
Uilli MekKej sqaron se Nanta i detyrohet 1.5 milionë sterlina djalit të tij: “Megjithatë, nuk do të merremi me gjyqe. Nuk është çështje parash, dy njerëz kanë humbur jetën. Nuk vijnë paratë para njerëzve. Unë kam familje, nuk do grindem për ato para, nuk më interesojnë fare, të jem i sinqertë, sepse kam përjetuar ferrin këto javë”.