Erik Ten Hag ka qenë strategu i këtij Ajaksi, që mrekulloi Evropën dhe botën me magjinë që dhuroi. Një ekip nga ata që përsëriten shumë rrallë. Si Barça e disa viteve më parë apo Milani i Arrigo Sakit. Trajneri 49-vjeçar ka folur për mediat rreth shitjes së talenteve dhe faktit që Ajaksi cilësohet si një fabrikë yjesh. Ai është i sigurt se kjo filozofi do të vazdojë përmes dekadash. Shpreson që ky Ajaks të dojë më pak se njëzet vite për t’u përsëritur.
“Ajaksi është fabrika e talenteve. Këtë emër e ka marrë nëpërmjet historisë së saj dhe e ka dëshmuar përsëri me këtë ekip të sivjetshëm. Jam i bindur se Ajaksi do të vazhdojë të prodhojë talente të mëdha. Kjo filozofi do të vazhdojë. Gjithsesi kjo kërkon shumë punë dhe kohë.”
“Duhet të tregohemi përsëri të zgjuar dhe krijues për të ndërtuar një grup të fortë. Nëse nuk e bëjmë këtë, nuk arrijmë asgjë. Natyrisht mund të dalin ekipe të mëdhenj si ky, por kjo nuk mund të ndodhë çdo vit. Ndoshta do duhet të presim njëzet vite, shpresoj të ndodhë më shpejt”, përfundoi strategu holandez.