Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj pranoi pas ndeshjes se djemtë e tij morën një rezultat shumë pozitiv, por çështja e kualifikimit nuk është mbyllur ende. Në fjalën e tij për “Supersport”, numri një i stolit të Luftëtarit tha: “Asgjë nuk vendoset në ndeshjen e parë. Ne duhet të vazhdojmë të luajmë futbollin tonë. Partizani na vuri në shumë vështirësi, por ne mbrojtëm mirë. Ishim të rrezikshëm me rastet tona dhe arritën të shënonim”.
RASTET – “Padiskutim që mundësi për të shënuar kemi pasur dhe në pjesën e parë, me aksione të rrjedhshme. Disa lojtarë kanë ardhur me vonesë në merkaton e janarit dhe nuk janë ende gati fizikisht. Gjithsesi, me kalimin e javëve po rriten dhe po ambientohen me skuadrën”.
ROTACIONI – “Kemi një grup lojtarësh që duhet t’iu japim besim që të shprehen në fushën e lojës. Ne nuk kemi një 11-she statike, pasi kemi dhe 6-7 lojtarë tjerë thuajse të një niveli. Nuk i lashë pushim për shkak të kalendarit, pasi vinim nga një pauzë e gjatë, por thjesht për t’iu dhënë minuta”.
TOLERIMET – “Kjo është një pyetje që nuk i bëhet një trajneri. Nuk mund t’i jap përgjigje kësaj pyetje. Unë stërvis lojtarët dhe punoj që të marr maksimumin. Nuk është në kompetencën time të bëj zgjedhje të tilla!”
XHEKSON – “Është një lojtar inteligjent. Kur është i përqëndruar, e bën mirë dhe fazën difensive, jo vetëm në sulm. Ka ardhur nga një dëmtim, por ai i ka aftësitë për të bërë edhe më shumë. Jam munduar t’i hap një ndihmë në krah, duke e dubluar, pasi Asani është një lojtar i rrezikshëm”.
KUALIFIKIMI – “Nuk është mbyllur çësthja e kualifikimit, pavarësisht se kemi marrë një rezultat favorizues. Asgjë më tepër, duhet të sakrifikojmë dhe në ndeshjen e dytë, pasi në Kupë mund të fitosh një ndeshje, por prapëseprapë eliminohesh. Kemi ende punë”.
GJYSMËFINALET PËR HERË TË PARË – “Padiskutim që do të jetë motivim më shumë. Futbollistët duhen ushqyer me frymën se çdo ndeshje, është si e fundit. Motivimi duhet të jetë maksimal për çdo sfidë, pasi kanë fatin e madh që zbresin në fushën e lojës dhe mbrojnë ngjyrat e një skuadre”, përfundoi Ahmataj.