Absurditeti i kontratave, Rexhinaldo nuk luan në finale!

0

Kontratat, kohëzgjatja dhe respektimi i tyre janë një nga problematikat që duhet të marrin zgjidhje në futbollin tonë. Kohëzgjatja 10-mujore e tyre duhet të marrë fund. Shumica e klubeve, kuptohet për kontratat sezonale, nënshkruajnë me futbollistët deri në fund të muajit maj.

Në bazë të rregullores së FIFA-s, në botën e civilizuar dhe të përparuar kontratat përfundojnë më 30 qershor, atëherë kur edhe sezoni merr fund. Gjithsesi, për të shmangur një pagë për futbollistët, klubet shqiptare kanë gjetur zgjidhjen, me kontratat që përfundojnë në fund të muajit maj.

Një gabim që mund të kushtojë shtrenjtë, si në rastin konkret me Kukësin. Sulmuesi Rexhinaldo, i cili kohët e fundit ka pasur probleme te Kukësi, pak ditë më parë bëri një postim në rrjetet sociale dhe bënte me dije se marrëveshja me verilindorët është e vlefshme deri më 31 maj të vitit 2019.

Në këto kushte, futbollisti i Kukësit nuk mund të aktivizohet në finalen e Kupës së Shqipërisë, gjithmonë në rast se verilindorët do e eliminojnë Skënderbeun. Ndeshja për trofeun zhvillohet më 2 qershor dhe sikurse shihet, kontrata e sulmuesit do ketë përfunduar.

Pa një kontratë të re, ai dhe kushdo lojtar tjetër që ka nënshkruar deri më 31 maj nuk mund të aktivizohet. Sigurisht, jemi në Shqipëri dhe mund të ketë sërish shpikje një-mujore. Mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhje do të gjendet. Ndoshta do dalë ndonjë klauzolë në faqen 4 dhe Rexhinaldo të mbetet edhe një vit pjesë e Kukësit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.