Drejtori sportiv i PSG, Leonardo ditën e djeshme ka udhëtuar drejt Kinës për të takuar personalisht Nejmar. Braziliani, siç dihet botërisht tashmë, dëshiron të largohet dhe këtë ja ka bërë të qartë edhe klubit. Drejtuesit deri tani janë treguar kokëfortë dhe nuk kanë negociuar aspak.
Megjithatë, në këtë “grindje” dikush duhet të ulë kokë dhe këtë herë duket se është dorëzuar Leonardo. Drejtori ka zbarkuar në Kinë, ku ekipi ndodhet për fazën pregatitore për t’i ofruar sulmuesit një pakt. PSG do e pranojë largimin e Nejmar, por jo këtë verë.
Francezët duan ta mbajnë edhe një vit atë për ta lënë më pas të largohet kundrejt një çmimi ta arsyeshëm verën e ardhshme. Arsyeja e këtij vendimi është se për brazilianin tregu nuk ofron zëvendësues dhe deri sezonin e ardhshëm do të shqyrtojnë mundësitë që shfaqen në merkato.
Siç raportohet, Nejmar nuk ka kërkuar aspak kohë të mendohet. Ai është shprehur se është shumë vonë për këtë. Kjo marrëveshje duhet të kishte ardhur më herët dhe të ishte më e arsyetuar. Tani ngjarjet kanë arritur kulmin dhe marrëdhënia e tij me bashkëlojtarët dhe me trajnerin Tuhel është ftohur. Radha është e Barcelonës. Atyre do u duhet të bëjnë një ofertë si blerësit e vetëm që janë ofruar.