Gjoka: Debreceni i kalueshëm, ja ç’duhet të bëjmë në Hungari

Kukësi përballet të enjten në transfertë me hungarezët e Debrecen në kuadër të raundit të parë eliminator të Europa League. Trajneri i verilindorëve, Ernest Gjoka, ka diskutuar mbi forcën e kundërshtarit dhe planet e merkatos në një intervistë për “Supersport”.

“Natyrisht që është një përballje shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Tashmë dihet që kalimi i turit te Kukësi ka qenë gjithmonë obligim dhe gjatë viteve të fundit klubi ka bërë shumë mirë. Sigurisht që kemi përplasje të fortë, me një ndër skuadrat më të forta të Hungarisë, por kjo nuk do të thotë që po e mendojmë si të pakalueshme këtë sfidë”.

“Gjatë të gjithë kësaj kohe kemi analizuar me shumë kujdes ekipin e Debrecenit. Njohim deri në detaje cilësitë e lojtarëve të tyre. Ata kanë disa lojtarë cilësorë, një pjesë janë pjesë e ekipit kombëtar të Hungarisë. Janë një ekip i fizikshëm dhe shumë taktik, por kanë edhe problemet e tyre. Po të jemi të qetë dhe të disiplinuar taktikisht, mendoj që ne mund të bëjmë një paraqitje të mirë në Hungari”.

“Duhet të jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse. Armët më të forta të Debrecenit janë krahët e sulmit dhe mesfusha. Do marrim masat të mos u lëmë hapësira. Edhe ne kemi lojtarë cilësorë, që kanë qenë pjesë ekipeve kombëtare, si Rama, Cuculi dhe Musolli”.

“Ne e kemi skuadrën, sigurisht ikja e Rexhinaldos ka ndikuar disi, pasi për momentin kemi vetëm Shkurtajn. Ne kemi kërkuar të bëjmë një merkato shumë të kujdesshme. Nuk kemi kërkuar sasi, unë kërkoj cilësi. Edhe me presidentin për këtë po punojmë, që të sjellim atë lojtarin e mirë cilësor që mund të bëj diferencën. Përsa i përket kampionatit, absolutisht që do vijnë 1 ose 2 lojtarë cilësorë. E kemi piketuar, tashmë është vetëm çështje negociatash”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *