Partizani, Laçi dhe Teuta kanë kërkuar zgjidhje nga jashtë vendit për sulmin dhe deri më tani janë bërë disa zyrtarizime. Të kuqtë janë ata që kanë afruar tre lojtarë për sulmin dhe ai që spikat më shumë është Brian Braun, sulmuesi xhamajkan që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me Reno 1868, në USL, (liga e dytë) ai ka shënuar në sezonin aktual 8 gola në 11 ndeshje. Shifra të mira, ndërkohë që një sezon më parë ka kapur numrin 17 të golave. Braun shihet si shpëtimtari i Partizanit për golat, madje për të edhe është paguar.
“Demat” kanë huazuar nga Hellas Verona edhe Jozef Ekuban, i cili me ekipin e parë të Mantovës ka shënuar vetëm një gol vjet. Po aq ka realizuar edhe Theofilus Solomon. Nigeriani ka shënuar në Kroaci në gjysmën e parë të sezonit, kur ishte pjesë e Inter Zapreshiç.
Me Ujpesht në Hungari nuk shënoi dot. Ai u aktivizua në 17 ndeshje në të dyja këto klube dhe vetëm 6 herë e nisi nga fillimi. Në kampin e kuq shpresojnë që 23-vjeçari të shpërthejë me ta. Solomon ka qenë pjesë e Rijekës, që e ka huazuar edhe te Istra dhe Partizani i Beogradit. Gjithashti ai ka luajtur edhe në Qipro me Omonia Nikozia.
TEUTA DHE LAÇI – Durrsakët dhe kurbinasit kanë afruar nga një sulmues. Bledi Shkëmbi për sezonin e ardhshëm do të ketë nën urdhra Darko Nikaç. Sulmuesi malazez ka shënuar sezonin e fundit 14 gola, dy me Navbahor në Uzbekistan dhe më pas me Iskra 12 herë në 17 ndeshje.
Edhe Laçi ka bërë merkato në rajon dhe ka nënshkruar me Kirian Nuabueze, nigerianin me pasaportë amerikane që me Dritën e Gjilanit shënoi 7 gola në gjysmën e dytë të sezonit. Kampionatin e kishte nisur me Pobedën në Maqedoni dhe kishte shënuar 6 gola.