Blerja e Fiorentinës nga manjati Roko Komiso ka rikthyer shpresat në Firence. Tifozët kanë nisur të ëndërrojnë sërish. Flitet edhe për një interesim për Gabriel Batistutën, i cili është një idhull absolut i popullit viola.
Ish-sulmuesi legjendar ka folur për “Sky Sport”, në lidhje me mundësinë e rikthimit te ekipi i tij i zemrës, por tani në rolin e drejtuesit. Ideja e tundon, por varet se çfarë detyre do t’i propozojë presidenti i ri.
“Ndërrimi i pronarëve i ka rikthyer entuziazmin ambientit dhe tifozëve. Mendoj se Komiso dëshiron me të vërtetë të bëjë diçka për Fiorentinën. Tifozët e pranuan dhe tani i takon atij të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë. Jam përshëndetur me të dhe biseduam së bashku.
Kaq për momentin, por varet se çfarë do që të bëj unë. Jetoj në Argjentinë dhe do më duhej të spostohesha në Firence. Të shohim, unë po monitoroj situatën. Nëse më thërret Komiso për të më ofruar ndonjë rol, dua të jem i dobishëm për Fiorentinën. Përndryshe, rrimë kështu siç jemi”, përfundon Batigol.