Matijs De Ligt është pranë marrjes së vendimit final. Mbrojtësi e ka ndarë mendjen dhe të gjitha rrugët të çojnë drejt PSG-së. Mediat franceze janë të bindura për transferimin e kapitenit të Ajaksit në kryeqytetin francez.
Mino Rajola është takuar disa herë ditët e fundit me drejtuesit e PSG-së dhe kanë mbetur për t’u përcaktuar detajet e fundit të akordit. Lajmi konfirmohet edhe nga holandezja “De Telegraaf”, që zbulon edhe shifrat e transferimit.
Ajaksi do të përfitojë një shumë rreth 75-80 milionë euro, ndërsa De Ligt e pret një kontratë 5-vjeçare me rreth 10 milionë euro rrogë në sezon. Në tratativë është përfshirë edhe braziliani Leonardo, i cili është rikthyer te kampionët e Francës.
Rivaliteti me Barcelonën dhe Mançester Junajtid është fituar. Vetë nëna dhe e dashura e mbrojtësit kanë nisur punën për gjetjen e një shtëpie në Paris, kështu që De Ligt pritet të vijojë karrierën e tij me ekipin e gjermanit Tuhel.