Infrastruktura dhe merkato, Binishi zbulon planet e Devollit

Nga FSHF-ja janë vendosur kritere për licencimin e skuadrave në të gjitha kategoritë, ndërkohë që në të Parën ka skuadra të cilat ende kanë mangësi në infrastrukturë. Ndërsa Devolli debutues ka avantazh fushën në parametra shumë cilësore, por disa ndërhyrje në ambientet e stadiumit kanë nisur nga drejtuesit e klubit. Vetë Drejtori i Devollit, Nesti Binishi, për SportEkspres.com deklaron se sezoni i ri do nisë me shumë përmirësime, me një stadium në parametra cilësorë.

INFRASTRUKTURA – “Ne kemi një fushë shumë cilësore, që ka qenë një avantazh për suksesin që arritëm në sezonin e kaluar. Për sezonin e ri, në tërësi me infrastrukturën ne jemi të gatshëm në 80% të saj. Deri në nisjen e sezonit të ri gjithçka do përmirësohet, sipas detyrave që ka lënë Sektori i Licencimit në FSHF. Përjashtuar ekipin e stafin teknik që janë pushim, administrata e punonjësit e klubit janë të gjithë në punë për të përmirësuar gjithë ambientet në stadium”.

SKUADRA – “E siguruam synimin final që u ngjitëm në Kategorinë e Parë, edhe pse e humbëm finalen me Tërbunin. Tashmë i gjithë ekipi që mbylli sezonin dhe stafi teknik janë me pushime, ndërsa administrata e klubit është në punë pa ndalim. Në tërësi, ekipi i Devollit tregoi cilësi të admirueshme dhe në Grupin B e mbylli pa humbje”.

MERKATO – “Rikonfirmimet për sezonin e ri te skuadra e Devollit kanë nisur nga trajneri Nica, si dhe me 90% të skuadrës që e mbylli sezonin e kaluar. Jemi në biseda për 3-4 ndërhyrje shumë cilësore, të cilat në fundin e muajit qershor do t’i bëjmë zyrtare. Po punojmë për një skuadër dinjitoze, jo vetëm për t’u treguar debutues në të Parën”.

 AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *