Gjici: Gjoka i konfirmuar, 90% i grupit do të qëndrojë

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, foli menjëherë pas fitimit të Kupës së Shqipërisë. Për emisionin Gol pas Goli në Supersport, numri një i Kukësit tha:

SEZONI – “Natyrisht i kënaqur, pasi justifikohet investimi i bërë. Objektivi kryesor ishte kampionati, por faktori fushë na ka penalizuar shumë. Gjithsesi, them se ky trofe e justifikon këtë sezon”.

GJOKA – “Gjoka është i konfirmuar. Ai do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës në Kupat e Europës. Shpresoj të vazhdoj sa më gjatë”.

GRUPI – “Besoj se 90% e grupit do të qëndrojë. Me Rexhinaldon kemi biseduar dhe kemi arritur një marrëveshje paraprake për anën ekonomike, por të presim, ai duhet të firmosë kontratën”.

TIRANA – “Pavarësisht se jam president i Kukësit, e kam thënë shpesh se Tirana s’duhet të bjerë nga Kategoria. Është një aset i Superiores. Nuk dua të merrem me zërat e këqinj, aq më pak kur e thotë një trajner. Kurrë nuk e kam menduar që të jem një dashakeqës i ekipit të Tiranës, ata që thonë ndryshe e kanë shumë gabim”.

MERKATO – “Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Ka të bëjë shumë fati, varet se çfarë ekipi do të kemi përballë. Deri atëherë ka kohë. Do bëjmë merkato, do afrojmë rreth katër lojtarë si dhe do bëjmë fazën përgatitore. Kemi probleme në mbrojtje dhe dëmtime të shumta. Për shembull sot luanim me Ethemin mbrojtës të djathtë. Po e kompletuam ekipin, besoj se do ecim larg. Objektivi patjetër që janë grupet e Europa League”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *