Komisioni i Disiplinës “ndez” kur ia ka qejfi dhe përgjithësisht i pëlqen të mbyllë stadiume në kategoritë inferiore. Kur vjen puna te Superiorja, ndonjëherë edhe harron të mblidhet. Ndodhi një javë më parë dhe tashmë merr pushimet për t’u frymëzuar për shpikjet që do të bëhen sezonin e ardhshëm.
Luzi dhe Shkumbini janë gjobitur pas përballjes mes tyre në play-off, ndërkohë që Flamurtari i futsallës e pëson më keq: humb në tavolinë dhe një lojtar i pezullohet me 24 muaj për shkak të dhunimit të zyrtarit të ndeshjes.
Çudia vjen me Shënkollin U19, që dënohet me katër ndeshje pa tifozë. Një Zot e di pse, edhe pse gjasat janë që të kemi të bëjmë me një lapsus. Finalja e kampionatit të 17-vjeçarëve, Tirana-Shënkolli, pati probleme. Sende të hedhura në fushë, protesta të shumta dhe tension mes lojtarëve. Për momentin, deri kur FSHF të sqarojë, dënimin e ka marrë Shënkolli U19. Gëzuar!
VENDIMET E DISIPLINËS
-KF “Luzi 2008”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës e përdorur shprehje fyese, në bazë të Nenit 66/2 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë). Në aplikim të Nenit 136/1/b të KDS, gjoba shlyhet në masën 20%.
– KF “Shkumbini”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës së lojës, në bazë të Nenit 66/2 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë). Në aplikim të Nenit 136/1/b të KDS, gjoba shlyhet në masën 20%.
– Zyrtari i KF “Shënkolli” U-19, Kristjan Gjidodaj, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– Zyrtari i KF “Shënkolli” U-19, Selajdin Muça, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
– KF “Shënkolli” U-19, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të Nenit 66/3/b) të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
– Lojtari i Flamurtari futsal, Karlo Kalus, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/b të KDS, dënohet me 24 (njëzetë e katër) muaj pezullim nga aktiviteti.
– Flamurtari futsal, për sjellje të gabuar të lojtarëve dhe stafit te saj duke shkaktuar ndërprerjen përfundimtare të lojës, në bazë të Nenit 49/5 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3 me 0.
– Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Këlcyra”, Fatjon Sakollari si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e tjera të FSHF.
– Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF “Këlcyra”, Meleq Xhakollari si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e tjera të FSHF.