Mer fund sezoni 2018/19 në Serinë A italiane dhe java e fundit ka prodhuar emocione, por asnjë surprizë, ndryshe nga sa shpresonte Milani. Kuqezinjtë niseshin në vendin e pestë dhe përveçse duhej të fitonin në Ferrara ndaj Spalit, u duhej një gabim nga Interi apo Atalanta.
Fillimi ishte perfekt për kuqezinjtë, që shënuan shpejt 2 gola dhe morën një lajm perfekt nga Sasuolo, që shënoi me Berardin. Gjithsesi, fundi i pjesës së parë ishte i tmerrshëm, sepse Atalanta barazoi dhe sapo mbaroi pjesa e parë Berardi mori karton të kuq, pas një sherri me lojtarë kundërshtarë.
Ndërkohë, Interi e mori me qetësi, por golin e parë e gjeti sapo nisi pjesa e dytë.
Paralelisht, Milani pësonte golin e barazimit nga Spali, që kishte shkurtar fillimisht në minutën e 28-të, ndërsa Atalanta shënoi sërish në Reggio dhe praktikisht siguroi vendin në Champions.
Milani shënoi sërish me Kessie në minutën e 66-të (2 gola për mesfushorin, një tjetër gol nga Çalhanoglu), por mendja ishte te Interi.
Ikardi humbi penallti, Empoli barazoi në minutën e 76-të dhe 5 minuta më vonë Interi shënoi sërish me Naingolan. Dramë e vërtetë, Empoli goditi edhe shtyllën dhe Handanoviç u bë heroi, me Empolin që zbriti në B për shkak të inferioritetit në takimet direkte me Xhenoan, që barazoi një ndeshje miqësore në Firence (0-0).
Fundi ishte festë totale për Interin dhe Atalantën, Milani mbetet në Europa League!