Partizani po mendon të afrojë një qendërmbrojtës, pasi gjasat janë që Egzon Belica të mos rinovojë kontratën. Një ofertë nga Turqi e ka tunduar atë, ndërkohë që në kampin e kuq kanë nisur të lëvizin për të gjetur një tjetër lojtar për prapavijën.
Në skenë ka dalë një emër dhe ai është Ardian Limani, kapiteni i skuadrës së Dritës. Mbrojtësi e ka pohuar vetë se ka pasur kontakte. Ende nuk ka një marrëveshjes, teksa Limani është shprehur: “Po kam pasur kontakte me Partizanin. Ata janë shumë të interesuar të nënshkruajnë me mua, por që ende nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje”.
Më tej, në fjalën e tij për “Telegrafi” ai shton: “Partizani është njëra nga skuadrat më të mëdha në Shqipëri dhe më vjen mirë që më kanë vlerësuar dhe më kërkojnë. Personalisht ende nuk kam vendosur nëse do t’i bashkohem atyre, do të vazhdoj me Dritën apo do të nënshkruaj me ndonjë skuadër tjetër. Pas ndeshjes së fundit ndaj Ballkanit do t’i analizoj të gjitha ofertat dhe do të marr vendimin përfundimtar”.