Juventusi është në kërkim të një trajneri. Maks Alegri nuk do të ulet më në stolin e bardhezinjve dhe drejtuesit e kampionëve të Italisë po punojnë për të arritur akordin me një emër të madh.
Ëndrra e madhe quhet Pep Guardiola. Spanjolli ka folur për këtë mundësi, duke sqaruar situatën. Zërat e fundit të merkatos flasin për një interesim të “Qytetarëve” për Antuan Grizman. Francezi do të largohet nga Atletiko e Madridit në fund të sezonit, ndërsa për të interesohet prej kohësh Barcelona.
Guardiola qetëson tifozët katalanas dhe e mbyll me një koment për UEFA-n. Qeveria europiane e futbollit po heton kampionët e Anglisë, trajneri ka besim absolut te drejtuesit e klubit dhe mungesa e provave përkthehet… pafajësi.
“Unë nuk do të shkoj te Juventusi apo në Itali. Kam edhe dy vite kontratë me Sitin. Jam i lumtur këtu dhe nuk dua të ndryshoj ekip. Sezonin e ardhshëm do të jem trajneri i Mançester Sitit.
Grizman? Njerëzit në Barcelonë nuk duhet të shqetësohen. Nuk kemi para dhe nuk do e blejmë Grizmanin. Dënimi nga UEFA? Gjithmonë e kam përsëritur se i besoj klubit tim. Nëse UEFA vendos se kemi gabuar, atëherë do të dënohemi. E di se njerëzit duan të na gjejnë fajtor, por jemi të pafajshëm derisa të gjendet provat. Sot jemi të pafajshëm”, përfundoi Pep Guardiola.