Partizani u shpall kampion për të 16-n herë dhe kjo ndodhi pas fitores së djeshme në derbi. Mesazhet përgëzuese për lojtarët, stafin dhe drejtuesit nuk kanë munguar. Ka nga ata që e bëjnë diçka të tillë edhe publikisht, sikurse ka ndodhur edhe me Emiljano Mustën.
Ish-futbollisti i të kuqve uron shokun e tij, Ardit Hilën. Së bashku kanë luajtur tek Elbasani dhe Teuta, kurse sivjet kanë qenë kundërshtarë. Në llogarinë e tij në “Instagram” Musta ka postuar një foto dhe mesazhi është ky: “Urime vëlla titullin kampion! Edhe pse nuk je kurrë nëpër media, ti flet në fushën e lojës. Fjalë pak e punë shumë”.
Nuk mungon një urim edhe nga Kukësi. Është drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, ai i cili gjithashtu përmes një postimi në rrjetet sociale përçon përgëzimet e tij për kampionët e Partizanit. Edhe pse ishte rival me ta, ish-fantazisti pranon verdiktin e garës.