Në një javë përmbysjesh spektakolare, edhe Aston Vila mund të krenohet se është bashkuar me grupin, sepse ka fituar me përmbysje 2-1 sot ndaj Uest Bromit, në vajtjen e gjysmëfinaleve në Championship, për një vend në Premier League.
Uest Brom e luajti mjaft mirë derbin e madh për 75 minuta, duke mbrojtur avantazhin e shpejtë të Duajt Gejl, ndërkohë që Vila dukej një hije e skuadrës së bukur të javëve të fundit.
Megjithatë, një gol i shkëlqyer nga Hurihejn dhe një penallti nga Tami Abraham, ku meritë në të dy rastet kishte talenti Xhek Grilish, i dhanë Aston Vilës një fitore tepër të vuajtur dhe ndoshta të pamerituar.
KTHEHET LIDSI – Në formë tepër zhgënjyese në javët e fundit, Lidsi i Marselo Bielsës duket se është zgjuar në momentin e duhur.
Sot Lids fitoi 1-0 në fushën e Derbi Kauntit, me golin e Rufe në minutën e 55-të, ndërsa Derbi protestoi ashpër më vonë, pasi iu dha dhe iu hoq një penallti, pas diskutimit mes arbitrave.
Javën e ardhshme do të luhen ndeshjet e kthimit, spektakli është i garantuar.