Samuel Umtiti ka refuzuar ofertën e Juventusit për t’ju bashkuar italianëve në sezonin e ardhshëm. Lajmi bëhet i ditur nga televizioni “Rai Sport”. Drejtuesit e “Zonjës” ka muaj që shfaqin interes për francezin, përtej problemeve fizike që ka shfaqur. Anjeli e Paratiçi e shohin çdo ditë e më larg afrimin e De Ligt e për këtë janë hedhur në sulm për kampionin e botës.
Vetë mbrojtësi edhe pse nuk ka pasur shumë minuta në dispozicion, para disa kohësh i ka kërkuar klubit të mos shqyrtojë asnjë ofertë për të. 25-vjeçari dëshiron të konkurojë me kolegët e tjerë në skuadër dhe jo të dorëzohet për të shkuar në një vend tjetër, ku do t’i kishte minutat të garantuara. Ky vit ka qenë i errët për të, ku ka pësuar një dëmtim që e la disa muaj jashtë fushave dhe megjithatë akoma nuk është ndarë me dhimbjet.