Fitorja me Lacion ka rikthyer qetësinë dhe ka rritur moralin e Milanit. Kuqezinjtë renditen përsëri në vendin e katërt dhe gara për kualifikimin në Champions po bëhet gjithnjë e më e bukur.
Ndeshja e radhës për ekipin e Gatuzos është përballë Parmës. Trajneri ka marrë tre lajmë të mira përpara përballjes që do të zhvillohet ditën e shtunë në drekë.
Alesio Romanjoli dhe Davide Kalabria u larguan të dëmtuar nga sfida me Lacion. Dëmtimet e tyre nuk janë serioze dhe dy mbrojtësit do të jenë gati për transfertën emiliane. Kapiteni do të vazhdojë edhe disa ditë me terapi, por mjekët janë të sigurt që Romanjoli do të jetë nën urdhrat e Gatuzos për “finalen” e radhës.
Gati është edhe Xhanluixhi Donaruma. Portieri i ka lënë pas krahëve problemet dhe pritet të rikthehet në mes të shtyllave. Pak më ndryshe situata e Lukas Paketa. Riaftësimi i brazilianit po ecën mirë, por rikthimi i tij është akoma larg. Objektivi është që lojtari të jetë i gatshëm për ndeshjen e 28 prillit, Torino-Milan.