Mauricio Sarri është një trajner që nuk ndryshon shumë. Për stilin e tij të lojës as që bëhet fjalë, por italiani nuk preferon të ndryshojë as lojtarët e formacionit. Nëse Ançeloti është pak a shumë simboli i trajnerëve që adhurojnë rrotacionin, Sarri bën pjesë te familja e atyre që nuk kanë ndjesi për të.
Trajneri i Çelsit ka një kontingjent të pasur lojtarësh dhe shumë talente. Dy prej tyre janë Kalum Hudson-Odoi dhe Ruben Loftus Çik. Tifozët dhe mediat insistojnë prej kohësh në aktivizimin më të madh të tyre. Sarri është “dorëzuar” më në fund, më saktë është detyruar t’i aktivizojë këta lojtarë.
Kreig Bërli është i bindur për diçka të tillë. Ish-mesfushori i Çelsit, tani në rolin e opinionistit për “ESPN”, bën të qartë se ka qenë Roman Abramoviç, ai që ka detyruar Sarrin të bëjë ndryshime dhe të fillojë t’i besojë më shumë dy lojtarëve të rinj.
“I është dashur t’i bëjë ato ndryshime. Është detyruar. Nuk ka rëndësi presioni që vinte nga tifozët dhe media. Sigurisht që ishte në një situatë dëshpëruese. Çelsi dhe Abramoviç kanë limite sa i përket qetësisë dhe durimit…”, thekson Bërli.