Për të mos mjaftuar humbja e fundit me Flamurtarin, te Tirana tashmë ka edhe një çështje tjetër. Dy futbollistë të bardhebluve, Bedri Greca dhe Jurgen Goxha, kanë debatuar në stërvitje mes tyre dhe trajneri Ardian Mema i ka përjashtuar ata nga seanca. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë klubi.
Në kushtet që është Tirana duhen marrë vendime të pjekura. Kontributi i gjithsecilit është i rëndësishëm dhe me shumë mundësi gjithçka do të kalohet me një gjobë. Nuk është hera e parë që ka përplasje në seancat stërvitore të bardhebluve.
Në fakt ky është edhe një tregues i presionit të lartë te futbollistët, që do të duhet të shmangin rënien e Tiranës nga Superiorja. Gjithashtu edhe lojtarët në fjalë, Greca e Goxha, njihen për karakterin e tyre. Të dy janë nga ata që nuk lëshojnë lehtë, por nuk kanë rrugë tjetër veçse të ulin kokën dhe të mendojnë për të dhënë më të mirën për Tiranën. Reagimi i parë ka ardhur përmes rrjeteve sociale, ku mbrojtësi Goxha ka postuar një foto.