Portieri i Teutës, Isli Hidi ka bërë paraqitje shumë të mira këtë sezon dhe ka qenë një nga liderët e skuadrës durrsake. Sot, për “RTSH Sport”, gardiani i portës foli për ndeshjen e ardhshme kundër Laçit, eliminimin nga Kupa e Shqipërisë përballë Kukësit dhe objektivin “Europë”, që po vështirësohet javë pas jave. Në fjalën e tij, Hidi tha:
“Normalisht, pas ndeshjes së parë ku rezultati ishte 2-2, e dinim që do të ishte e vështirë, duke pasur parasysh dhe kualitetet e ekipit të Kukësit. Ndeshja e parë ndikoi shumë në kualifikim. Pas pësimit të golit, skuadra ra dhe kualifikimi ishte shumë i vështirë. Që në fillim, u duk se do të jetë ndeshje me tek gol dhe Kukësi shënoi.
Ne jemi në vend të tretë akoma dhe shpresoj t’ia arrijmë deri në fund të kampionatit që të sigurojmë sa më shpejt Kupat e Europës. Laçi në fushën e vet është një skuadër shumë e fortë. Teuta këtë vit në çdo fushë ka shkuar për të fituar, pavarësisht rezultatit. Do të shkojmë për të marrë maksimumin, por dhe një barazim na kënaq, pasi ata janë ndjekësit tanë”, përfundoi Hidi.