Laçi u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, edhe pse u mundua të përmbyste humbjen 3-0 që kishte pësuar në kryeqytetet kundër Tiranës. Bardhezinjtë iu afruan objektivit, por fati nuk ishte me ta. Ndërkohë pati edhe dy episode ku kurbinasit kanë pretendimet e tyre për penallti dhe që mund të kishin ndryshuar situatën.
Gjithsesi trajneri Sulejman Starova nga sot duhet të mendojë për kampionatin dhe ndeshja e së shtunës kundër Teutës në Laç është shumë e rëndësishme. Edhe këtë takim do të mungojë Abdurrahman Fangaj, ndërkohë që shtohet edhe mungesa e Taulant Sefgjinit.
Mbrojtësi i majtë u ndëshkua në sfidën e kampionatit me Tiranën dhe ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Gëzimi i vetëm është Sebastian Toro. Kiliani e ka shlyer pezullimin dhe pritet të pozicionohet në qendër të prapavijës. Dilema është se kush do të luajë në të majtë të prapavijës. Me Pjeshkën të dëmtuar, gjasat janë që të pozicionet Shtubina në atë pozicion. Gjithsesi gjithçka do të kuptohet gjatë seancave stërvitore.