Janari ishte një mundësi për klubet e Superiores që të “meremetoheshin” për vazhdimësinë e kampionatit. Lëvizjet ishin të shumta, por ka edhe plot tentativa që dështuan. Më së tepërti u pa për sulmues dhe tregu në Kosovë nuk u anashkalua.
Dy ishin emrat e atyre që janë tentuar më së shumti. Njëri është Festim Alidema, i cili aktualisht luan me Llapin. Autori i 9 golave, asnjë nga penalltia, pati “flirt” me disa klube të Superiores. Kukësi dhe Flamurtari ishin dy nga klubet që e tentuan, por normalisht klubi nga Podujeva nuk hiqte dorë nga sulmuesi anësor pa paguar për kartonin e tij. Pati disa pista edhe jashtë vendit për Alidemën, që mund të kalonte edhe te Osijeku në Kroaci. Gjithsesi mbeti në IPKO Superliga e Kosovës dhe në verë del lojtar i lirë.
I kërkuari tjetër ishte Alban Shillova, sulmuesi i Flamurtarit të Prishtinës. Shtatlarti ka luajtur edhe më parë në Superiore me Bylisin dhe ka qenë një nga emrat e kaluar në sitë nga Partizani. Autori i 10 golave renditet i dyti në listën e golashënuesve më të mirë, ndaj në verë nuk përjashtohet mundësi ta transferohet në elitën e futbollit shqiptar.
Aktualisht në Kosovë shënuesi më i mirë është Kastriot Rexha, kampion vjet me Dritën dhe këtë sezon është pranë trofeut me Feronikelin. Në të shkuarën ai e ka provuar Superioren, pasi është aktivizuar me Vllazninë. Sulmuesi, tashmë 30 vjeç, në sezonin 2012-2013 arriti të realizonte pesë gola në 20 ndeshje me shkodranët.